Rama inspekton punimet në bypass-in e Tiranës: Do ta çlirojë kryeqytetin nga trafiku
Bypass-i i Tiranës do të jetë 21.5 kilometra i gjatë. ARRSH parashikon përfundimin e 8 kilometrave të parë në vitin 2027.

Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, inspektuan punimet në kantierin e bypass-it të Tiranës, një nga projektet infrastrukturore që synon të lehtësojë trafikun në hyrje dhe dalje të kryeqytetit.
Sipas autoriteteve, punimet po ecin me ritme të kënaqshme, ndërsa përfundimi i këtij aksi pritet të krijojë një alternativë të re për automjetet që nuk kanë si destinacion qendrën e Tiranës.
Rama: Bypass-i do ta çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar
Gjatë inspektimit, kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë që do të ketë bypass-i për përmirësimin e qarkullimit rrugor, veçanërisht për automjetet që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes së vendit.
Rama u ndal edhe te ndikimi që ndërtimi i rrugës mund të ketë në rritjen e vlerës së pronave në zonë, duke garantuar se procedurat e shpronësimit do të kryhen sipas legjislacionit në fuqi.
“Në këtë zonë është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre. Pa diskutim që çdo shpronësim do të bëhet sipas ligjit, me transparencë. Ky aks do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt. Një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes dhe pjesa tjetër do të ketë lirshmëri për të hyrë e për të dalë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Bypass-i 21.5 kilometra, lidh Kasharin me Mulletin
Bypass-i i Tiranës është projektuar me një gjatësi totale prej rreth 21.5 kilometrash dhe synon të shmangë një pjesë të trafikut të rëndë që aktualisht kalon në hyrje të kryeqytetit.
Aksi do të lidhë autostradën Tiranë–Durrës, në zonën e Kasharit, me autostradën Tiranë–Elbasan, në Mullet, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet dy korridoreve të rëndësishme rrugore.
Projekti parashikon gjithashtu lidhje me Korridorin Adriatiko-Jonian dhe akse të tjera të rrjetit kombëtar, duke mundësuar devijimin e një pjese të qarkullimit tranzit jashtë zonave më të ngarkuara të Tiranës.
8 kilometrat e parë pritet të përfundojnë në vitin 2027
Sipas parashikimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, 8 kilometrat e parë të bypass-it të Tiranës pritet të përfundojnë brenda vitit 2027.
Ndërkohë, për 13 kilometrat e mbetur, autoritetet ndodhen në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm për vijimin e projektit.
Pas përfundimit të plotë, bypass-i pritet të shërbejë si një alternativë kryesore për automjetet që udhëtojnë ndërmjet akseve kombëtare pa pasur nevojë të hyjnë në kryeqytet.
Sipas autoriteteve, kjo infrastrukturë synon të reduktojë ngarkesën e trafikut në hyrje dhe dalje të Tiranës, të përmirësojë lëvizjen drejt jugut dhe juglindjes, si dhe të krijojë lidhje më funksionale ndërmjet korridoreve kryesore të transportit.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






k.jpg)